Banorët e Kalabrisë presin Planin Urban të lagjes

Është miratuar Plani Urban për lagjen Kalabria, për të cilin banorët është dashur të presin me vjet. Tërë seanca e së hënës e Kuvendit të Komunës u përshkua me përplasje pozitë-opozitë që nuk pajtoheshin me planin e propozuar nga komuna.

Megjithatë, kur u bënë bashkë pozitë e opozitë, në një diskutim me shefat e grupeve të asamblistëve, u arrit që plani t’i marrë votat e mjaftueshme. Këtë plan e kundërshtuan asamblistët e PDK-së.

Artan Mullarama, banor i Kalabrisë, i është gëzuar miratimit të planit urban për këtë lagje i cili u bë pas shumë vitesh pritjeje për banorët e kësaj lagjeje.

E për Kalabrinë të hënën Kuvendi Komunal i Prishtinës e miratoi planin në një seancë maratonike me përplasje pozitë-opozitë. Meqë pozita nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë plan në Kuvendin komunal, u mblodhën përfaqësuesit e asamblistëve për t’i shqyrtuar bashkërisht kërkesat e opozitës, raporton RTKlive.

Gzim Sveçla, shef i asamblistëve të Vetëvendosjes në kryeqytet, tregoi se kërkesa e tyre u mor parasysh dhe u arrit që të ruhet prona publike.

“Prej atyre të cilat ishin me kryesoret është çështja e stacionit të autobusëve koeficienti i propozuar ishte 7 në fund arritëm që të jetë 3 që i bie se nuk do të ketë solitera në stacionin e autobusëve, nuk do të ketë qendra tregtare , nuk do të ketë investitorë të dyshimtë, është shtuar numri i hapësirave të gjelbra  në lagjen Kalabria , është kthyer parku botanik, është bërë përkufizimi i qartë i hapësirave për shërbime komunale”, tha ai.

Për dallim nga Vetëvendosje, PDK nuk e votoi planin. “Ne kemi zhvilluar një betejë mbi 10 orë si grup i asamblistëve të PDK-së, duke tentuar që në të njëjtën kohë edhe të shtyjmë përpara interesin e banorëve, mirëpo edhe të mbrojmë pronën publike. Aty ku ne nuk  hasem në mirëkuptimin edhe nga nënkryetari Rama, mirëpo edhe nga LVV, ishte pika tek çështja e pronës publike, ku kryetari Rama me insistimin e tij dhe përkrahjen e  LVV-së shndërruan dhe e tjetërsuan pronën publike në një pronë të ndërtimit të lartë e cila më nuk do të jetë publike dhe kjo është fatkeqësi qe ka ndodhur dje në kurrizin  e banorëve  dhe ne si PDK- në mënyrë demostrative e kemi lëshuar sallën”, tha Granit Geci, asamblist i PDK-së në Prishtinë

Nga komuna, në një përgjigje me shkrim, thanë se plani i Kalabrisë u votua dhe kësisoj banoret e asaj pjese do ta gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit efikas e qarkullueshmërisë së pronave të tyre. Në përgjigje, po ashtu thuhet se pronës publike iu shtua vlera e rëndësia.

Komuna thotë se u kujdesën për hapësira të gjelbra me dhjetëra hektarë ngritje të vlerës shoqërore, vënie të një standardi të ri e drejtësi për të gjithë në raport me pronën private.

Go to TOP