Ballkani fiton në Skënderaj, Dukagjini merr tri pikë në Ferizaj
Ballkani ka shënuar fitore në javën e tridhjetë e një të Superligës së Kosovës në futboll, pasi e ka mposhtur Drenicën me rezultat 2:1 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj. Gjithashtu edhe Dukagjini ka marrë fitore ndaj Ferizajt.
Skuadra nga Suhareka ka kaluar në epërsi në minutën e tridhjetë e gjashtë me një gol nga goditja e lirë të Toni Domgjonit. Mysafirët e kanë dyfishuar avantazhin në minutën e pesëdhjetë e katërt, kur Festim Alidema ka realizuar pas asistimit të Almir Kryeziut.
Drenica është rikthyer në lojë në minutën e shtatëdhjetë e nëntë me golin e Igball Jasharit. I njëjti lojtar ka fituar penallti në minutat shtesë pas ndërhyrjes së VAR. Nga pika e bardhë e ka provuar Ronaldo Chacon, por portieri Adnan Goluboviq e ka pritur goditjen, duke i siguruar Ballkanit tri pikët.
Pas kësaj fitoreje, Ballkani shkon në pesëdhjetë e pesë pikë dhe vazhdon garën për titull, pesë pikë prapa liderit Drita. Drenica mbetet e shtata me tridhjetë e tetë pikë dhe vazhdon betejën për mbijetesë.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Dukagjini ka fituar si mysafir ndaj Ferizajt me rezultat 2:1.
Klinasit kanë kaluar në epërsi në minutën e dyzet e një me golin e Hekuran Kryeziut, ndërsa Dienit Isufi ka realizuar për 2:0 në minutën e pesëdhjetë e një. Ferizaj e ka ngushtuar rezultatin në minutën e fundit me Betim Haxhimusën, por nuk ka arritur ta shmangë humbjen.
Ferizaj nga minuta e shtatëdhjetë e tetë ka luajtur me një futbollist më pak, pasi Ruben Cornelious është ndëshkuar me karton të kuq.
Me këtë fitore, Dukagjini ngjitet në vendin e gjashtë me dyzet e një pikë dhe largohet nga zona e rrezikut. Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me tridhjetë e tri pikë.
Këto dy skuadra do të përballen sërish në finalen e Kupës së Kosovës më 21 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”.
