Ballkani barazon dhe kalon në raundin e tretë të Conference League
Ballkani ka siguruar kualifikimin për në raundin e tretë të Conference League, pas një performance të qëndrueshme kundër skuadrës malteze, Floriana. Ekipi nga Suhareka avancon më tej falë fitores me rezultat të përgjithshëm 5-3.
Ndeshja e parë, e zhvilluar javën e kaluar, ishte mbyllur me fitoren 4-2 të Ballkanit, ndërsa përballja e sontme ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1.
Skuadra nga Malta ka kaluar e para në epërsi në minutën e tridhjetë e tetë me golin e Vella, por reagimi i skuadrës së Kosovës ka erdhur menjëherë. Në fund të pjesës së parë, sulmuesi Adetunji e ka barazuar rezultatin me një goditje të fortë nga distanca.
Në pjesën e dytë, Floriana tentoi të kthehet në lojë, por pa sukses, ndërsa Ballkani ka menaxhuar avantazhin e fituar nga ndeshja e parë.
Tashmë, skuadrën e drejtuar nga Orges Shehi e pret një sfidë e vështirë ndaj ekipit irlandez, Shamrock Rovers, në raundin e tretë të Conference League.
