Bajrami sfidon Muratin për keqmenaxhimin financiar: publikoni kontratat
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Ministrin e Financave, Hekuran Murati duke e akuzuar për keqmenaxhim financiar dhe manipulim të të dhënave publike.
Bajrami e nisi deklaratën e saj duke vënë në pah mosreagimin e Muratit ndaj videos së publikuar prej saj, ku tregonte se partia e tij kishte votuar kundër auditimit të kontratave me burim të vetëm.
“Pse heshtët? A u zbrapsët si kolegët tuaj në Komision?” pyeti ajo.
Duke u referuar shifrave të prokurimit publik, Bajrami theksoi se deklaratat e Muratit janë të pavërteta dhe kontradiktore.
“Ti po thua se në vitin 2008, kur buxheti total ishte 963 milionë euro, shpenzimet përmes prokurimit publik ishin më të larta sesa në vitin 2023, kur buxheti total arriti në 2.925 miliardë euro. Kjo nuk ka logjikë!”
Ajo sqaroi se shpenzimet përmes prokurimit publik përfshijnë investime kapitale dhe furnizime për shërbime publike si spitale, shkolla, çerdhe, ushtri dhe polici.
“Është zhgënjyese që, me dy miliardë euro më shumë në buxhet, në 2023 kemi më pak investime kapitale dhe furnizime sesa në 2008,” theksoi Bajrami.
Deputetja i bëri thirrje Muratit që të publikojë kontratat e prokurimit publik nga viti 2007 deri në 2023 për të vërtetuar të dhënat e tij.
“Prokuroria ka shumë punë me ju,” shtoi ajo, duke sugjeruar se ka elemente për hetime të thelluara ndaj qeverisë.
Bajrami gjithashtu kritikoi performancën e përgjithshme të qeverisë Kurti, duke përmendur dështimet për realizimin e premtimeve të mëdha, si ndërtimi i 160 çerdheve dhe ulja e çmimeve të energjisë elektrike.
“Ju kaluat katër vite duke vizatuar grafa të pavërteta dhe duke bërë propagandë. Asnjë premtim nuk është mbajtur!”
Në përfundim, Bajrami e ftoi qeverinë të anulojë grantet e pezulluara dhe të fillojë të punojë për qytetarët.
“Jeni një qeveri që kujdeset vetëm për familjen tuaj, jo për familjet e qytetarëve,” përfundoi ajo me tone të ashpra. /Kosova.info/