Bajrami: Qeveria po i shpërfill bizneset – liberalizimi i tregut të energjisë rrezikon prodhimin vendor

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të Qeverisë dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sipas saj, po injorojnë kërkesat e drejta të bizneseve vendore lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë.

Sipas Bajramit, rreth 1,300 biznese po përballen me rritje të faturave të energjisë deri në 260% si pasojë e këtij liberalizimi, ndërkohë që kërkesa e tyre e vetme është shtyrja e këtij vendimi për një vit. Megjithatë, në vend që kjo kërkesë të merrej parasysh, përfaqësues të Qeverisë kanë ofruar si “zgjidhje” subvencionimin e izolimit të ndërtesave – një masë që, sipas Bajramit, është krejtësisht e papërshtatshme për sektorin prodhues.

“Imagjinoni një metal përpunues, te i cili rryma është 30% e kostos së prodhimit, dhe Qeveria i thotë: ‘ta izolojmë ndërtesën e të ndihmojmë me vokë ujin’”, theksoi ajo, duke shtuar se kjo tregon mungesën e thellë të kuptimit të sektorit prodhues dhe të prioriteteve të ekonomisë vendore.

Ajo kritikoi edhe arsyetimet e Qeverisë për mosmbështetjen e bizneseve tregtare, duke thënë se nuk është e drejtë të cilësohen si “korporata që fitojnë qindra miliona euro”, sepse kostoja përfundimisht bie mbi qytetarët përmes rritjes së çmimeve të produkteve të përditshme.

“Qeveria po punon në favor të mafies energjetike,” theksoi Bajrami, duke rikujtuar se vetë Albin Kurti, para se të bëhej kryeministër, ka folur për këtë rrjet dhe mënyrën e funksionimit të tij. Ajo e cilësoi metamorfozën e Vetëvendosjes nga “duaje tënden” në “shkatërro tënden e blej nga importi” si një nga kthesat më dramatike në historinë e re politike të Kosovës.

Në fund, Bajrami theksoi se Qeveria e Kurtit ka shtuar deficitin tregtar me 19 miliardë euro gjatë qeverisjes së tij dhe ka shpërndarë qindra miliona euro nga buxheti për paqe sociale dhe vota, pa ndërmarrë asnjë hap serioz për të ndihmuar ekonominë reale të vendit.

Njoftim për publikun:

Deputetja bëri të ditur se nesër, në ora 14:00, do të mbahet një takim ku janë ftuar shoqatat e biznesit, ZRRE-ja, Autoriteti i Konkurrencës dhe KESCO, për të diskutuar me seriozitet çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë dhe për të kundërshtuar keqinterpretimin e nenit 37 të Ligjit për Energji Elektrike. Ajo fton edhe shoqatat që nuk kanë marrë ftesë por ndihen të prekura nga ky proces që të marrin pjesë në takim. /Kosova.info/

Go to TOP