Bajrami: Po thonë po “luftohet korrupsioni”, 9 milionë euro i falen Ferronikelit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj një vendimi të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për siç thotë ajo “falja e mbi 9 milionë euro Ferronikelit, obligime këto ndaj shtetit rentë minerare”.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se Qeveria e thirrur për luftimin e korrupsionit, nuk po e lufton këtë dukuri.

“Po thojnë po “luftohet korrupsioni”, që nja fakt tjetër qysh 51%-shi po lufton korrupsionin: Bordi Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, KPMM, i zgjedhur nga 51% me datë 6 dhjetor 2021, ka marrë vendim të i falë Ferronikelit (kompani kjo 100% private) 9,019,979.44 Euro obligime ndaj shtetit rentë minerare. Bordit të KPMM-së me datë 31.05.2022 e ka njoftuar Ferronikelin për detyrimin prej 9,019,979.44 milionë euro për rentë minerare, mandej me datë 29.08.2022 pendohet dhe nxjerr një vendim tjetër për ta liruar Ferrronikelin nga ky obligim”, ka shkruar ajo.

Po ashtu, Bajrami thotë se përkundër fakteve, ky bord nuk është shkarkuar dhe vazhdon të jetë në detyrë me kompetenca të plota.

“Shkarkimi i këtij Bordi ishte në rend dite në seancën e 2 shkurtit, por u largu nga rendi i ditës për procedurë dhe për çudi në seancën e ardhshme nuk është në rend dite, d.m.th. përkundër fakteve të ditura ky bord vazhdon të jetë në detyrë me kompetenca të plota. Ky Bord sigurisht do të shkarkohet nga Kuvendi, por dëmi tashmë është bërë, tani shteti do të sorollatet nëpër gjykata duke kontestu vendimin e vet/Bordit të KPMM-së në favor të Ferronikelit. Garant komitetet e LVV-së, e cilësojnë këtë si ‘luftë kundër korrupsionit’”, ka përfunduar ajo.

Go to TOP