Bajrami kritikon Autoritetin e Konkurrencës: Po i ikin llogaridhënies në Kuvend me arsyetime absurde

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj refuzimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për të marrë pjesë në një takim të thirrur në Kuvendin e Kosovës. Në një reagim publik, Bajrami e ka quajtur të pabesueshëm vendimin e Autoritetit, i cili e ka arsyetuar mungesën duke u thirrur në nenin 21 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, që përcakton se ky institucion është i pavarur dhe i përgjigjet Kuvendit.

“Pra, i ikin Kuvendit duke u thirrur në ligjin që thotë se duhet t’i përgjigjen Kuvendit,” shkruan Bajrami duke sqaruar se takimi nuk është organizuar nga LDK, por është një diskutim institucional në Kuvend me pjesëmarrjen e të gjitha partive, përfaqësuesve të bizneseve, ZRRE-së dhe KESCO-s.

Ajo publikoi dy nga pyetjet që kishte përgatitur për Autoritetin:

1. A ka KESCO pozitë dominuese në tregun e energjisë?

Duke cituar nenin 9 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Bajrami theksoi se është detyrë e Autoritetit të shqyrtojë dhe të marrë masa në rast të keqpërdorimit të pozitës dominuese, përfshirë vendosjen e çmimeve të padrejta, pengimin e konkurrencës dhe kushte të pabarabarta tregtare.

2. A keni bërë vlerësimin e konkurrencës në bashkëpunim me ZRRE-në, siç kërkohet me ligj?

Ajo iu referua nenit 26 të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili kërkon që Autoriteti i Konkurrencës dhe ZRRE të kryejnë hetime të përbashkëta për funksionimin e tregut të energjisë çdo dy vite.

Bajrami përfundoi duke akuzuar Autoritetin për mungesë profesionalizmi dhe për shmangie nga përgjegjësitë ligjore. Ajo tha se heshtja nuk është shenjë pavarësie, por “më së buti, paaftësi”. Deputetja siguroi publikun se takimi në Kuvend do të mbahet dhe se pyetjet për rritjen e çmimit të energjisë dhe deformimin e tregut do të vazhdojnë të shtrohen.

“Ju mund t’i ikni një takimi, por jo edhe përgjegjësisë që ju jep Ligji,” përfundoi ajo. /Kosova.info/


Go to TOP