Bajrami: Kompanitë pa fatura për qershor, fitimet e NOA-s dhe Vuk Hamoviqit nën hetim

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si është trajtuar dalja në treg të lirë e rreth 1300 kompanive në sektorin e energjisë duke theksuar se ato janë përjashtuar në mënyrë të dhunshme nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike.

Ajo thotë se kjo është bërë në një kohë kur as treg i lirë real nuk ekziston, e as palët nuk janë të përgatitura për një tranzicion të tillë.

“Sot është data 22 korrik dhe ende asnjë kompani e përjashtuar nga tregu i rregulluar nuk e ka marrë faturën e muajit qershor. Pse? S’po dini si me i faturu? S’po guxoni me treguar sa shumë është rritur çmimi i energjisë për këto kompani?”, pyet Bajrami.

Ajo akuzon qeverinë se po përpiqet të kamuflojë fitimet e mëdha të kompanisë NOA dhe të Vuk Hamoviqit, të cilat sipas saj janë përfituar në emër të “liberalizimit” të tregut të energjisë.

“Një gjë po ju them: hetimet që Prokuroria Speciale ka filluar ndaj NOAs nuk do lënë jashtë asnjërin nga ju, sepse në fund të gjithë përfundoni te fitimet e majme të Vukit dhe NOAs,” paralajmëroi deputetja.

Bajrami ka qenë ndër kritikët më të zëshëm të qeverisë në lidhje me politikat energjetike dhe shpreh shqetësim për mungesën e transparencës dhe pasojat financiare për bizneset në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP