Bajrami godet Kurtin: Kapje shteti, mafie energjetike dhe korrupsion që nuk fshihen me flamurin kuq e zi
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka drejtuar një varg akuzash të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij duke e akuzuar për përfshirje në mafien energjetike, kapje të institucioneve dhe lidhje me persona të dyshuar për trafik droge.
Në një reagim të ashpër publik, Bajrami theksoi se “mafia energjetike, korrupsioni dhe kapja e shtetit nuk lahen me patriotizëm të rremë dhe flamur kuq e zi” duke akuzuar Kurtin për shfrytëzim të çështjes së komunave në veri për të mbuluar dështimet në qeverisje.
Ajo pretendon se institucionet kyçe të sektorit të energjisë si ZRrE, KOSTT dhe KEK janë të kapura nga militantë partiakë dhe familjarë të pushtetit duke e thelluar varësinë e vendit nga importi i energjisë. Sipas saj, kjo po u shërben interesave të kompanive të huaja si EFT dhe GEN, të lidhura me Vuk Hamoviqin, dhe përfituesve të dyshimtë si ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Bajrami përmendi gjithashtu mbi 2,100 tenderë njëburimor duke thënë se disa prej tyre jepen përmes grupeve të WhatsApp-it. Ajo e akuzoi Kurtin edhe për lidhje me persona të përfshirë në trafik droge dhe për vendosjen e Kosovës në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.
“E dimë të gjithë çfarë ka ndodhur në veri. Një ditë do të kthehen në punë të njëjtët policë, prokurorë e gjyqtarë që u dorëhoqën. Dhe kur kjo të ndodhë, do ta kuptojmë se e ke kthyer vendin pas në kohë, kur dialogun e udhëhiqte Edita Tahiri”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së theksoi se shteti nuk duhet t’i dorëzohet një njeriu dhe kërkoi që institucionet e drejtësisë dhe sigurisë të hetojnë kryeministrin Kurti dhe kabinetin e tij për, siç tha ajo, dëmin që i është shkaktuar vendit nga kapja e institucioneve dhe përfitimet personale.
“Je në shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës dhe nëse kemi shtet, dikush nesër duhet të ta ndalojë hyrjen në ndërtesën e qeverisë. Mjaft më me nacionalizma të rremë, sepse gjithçka po kundërmon nga korrupsioni,” përfundoi ajo.
Bajrami përmes këtij reagimi kërkon hetim të thellë ndaj qeverisë dhe një kthesë të menjëhershme në drejtimin institucional të vendit. /Kosova.info/
