Azemi: Në Kosovë kemi mungesë të punëtorëve profesionalë

Që nga periudha kur ka ndodhur liberalizimi i vizave për Kosovën, ka ndryshuar edhe qasja e punëdhënësve ndaj punëtorëve. Punëtorët më nuk shkelen si në të kaluarën, por trajtohen dukshëm më mirë. Kështu deklaroi Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës në emisionin “RTK Prime”.

Ai madje tha se në këtë periudhë në Kosovë ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar .

“Në periudhën e kaluar punëtorët janë shkelur nga punëdhënësi. Ju kanë thënë punëtorëve se mund të shkoni nëse nuk iu punohet. E pas liberalizimit të vizave gjërat kanë ndryshuar dukshëm për të mirë. Tash ka mungesë të fuqisë punëtore”, deklaroi Azemi në emisionin e thirrur nga RTK lidhur me 1 Majin – Ditën Ndërkombëtarëve të Punëtorëve .

Sindikalisti Azemi kishte ankesa edhe me platformën qeveritare “Superpuna”, për të cilën tha se është keqpërdorur edhe nga punëtorët edhe nga kompanitë.

“Kamë argumente që shumë kompani nuk e kanë zhvillu aktivitetin e vet nga Superpuna, por disa prej punëtorëve që janë punësuar nëpër kompani, kanë punuar edhe jashtë vendit. Këto mjete nuk e kanë efektin e duhur nga platforma Superpuna”, deklaroi Azemi.

E ndërkaq, Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës foli për sfidat e bizneseve të cilat ende nuk po arrin të këndellen pas pandemisë. Ai tha se inflacioni, investimet e reja për pajisje, por edhe mungesa e punëtorëve profesionalë mbesin sfidë.    

Edhe Rafuna foli për punëtorët dhe mosrespektimin e kontratës së punës nga punëdhënësit.

“Nuk e respektojnë kontratat e punës që janë 30 ditë pushim. Këtu duhet të ndërhyjnë institucionet që të respektohet ligji, sepse nëse nuk respektohet kontrata shkelet e drejtat e punëtorëve”, deklaroi Rafuna.

Go to TOP