Azemi: Ferizaj po përballet me mungesë të rrymës – propozoj ndërtimin e një centrali me gaz amerikan
Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Visar Azemi, ka reaguar ndaj ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike në këtë komunë duke theksuar se qytetarët dhe bizneset lokale po përballen me mungesë të rrymës si në dimër, ashtu edhe në verë.
“Sot dhe dje, qytetarët dhe bizneset nuk kanë pasur rrymë, pa asnjë shpjegim. Ferizaj, si qendra e dytë ekonomike në Kosovë, me numër të madh të bizneseve, sidomos prodhuese, po pëson humbje të konsiderueshme për shkak të këtyre ndërprerjeve,” ka deklaruar Azemi.
Në këtë kontekst, ai ka propozuar ndërtimin e një centrali me gaz amerikan në Ferizaj, si zgjidhje afatgjatë për krizën energjetike në komunë dhe më gjerë.
“Një investim i tillë do të siguronte furnizim të qëndrueshëm me energji, do të kontribuonte në zhvillimin ekonomik dhe do të krijonte vende të reja pune,” u shpreh ai. /Kosova.info/
