AVONET: Therja e katër personave, ngjarje alarmante për sigurinë
Rrjeti i Organizatave joqeveritare “AVONET” ka reaguar lidhur me plagosjen e katër personave në Ferizaj duke e quajtuar këtë ngjarje si tejet alarmante për sigurinë publike në Komunën e Ferizajt.
“Therja e katër personave është një ngjarje tejet alarmante për sigurinë publike dhe përbën një sinjal të qartë për pasigurinë publike me të cilën përballen qytetarët e Komunës së Ferizajt. Fatkeqësisht, incidentet e ngjashme, përfshirë therrjet dhe rrahjet e vazhdueshme, kanë ndikuar thellësisht në ndjenjën e pasigurisë me të cilën përballen qytetarët”, thuhet në kumtesë.
AVONET thekson mes tjerash se është e shqetësuar për gjendjen e sigurisë publike në Ferizaj.
“Është për të ardhur keq që Komuna e Ferizajt nuk mban në funksion një mekanizëm të rëndësishëm për garantimin e sigurisë, siç është Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi -KKSB. Ky forum, i cili ka për qëllim identifikimin dhe trajtimin e çështjeve të sigurisë publike, do të duhej të ishte në qendër të bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve”, thotë AVONET në komunikatë.
Sipas rrjetit të OJQ-ve, roli i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komunitetit është thelbësor, bazuar edhe në Strategjinë për policinë në bashkësi.
“AVONET ngrit alarmin mbi mungesën e komunikimit mes institucioneve dhe qytetarëve, çka ndikon drejtpërdrejt në identifikimin dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla tragjike. Kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm dhe një bashkëpunim të përforcuar për të rikthyer besimin dhe sigurinë publike”, theksohet tutje në kumtesë.