Avokati i Popullit: Mospajisja me pasaporta është kufizim i të drejtave të qytetarëve, MPB-ja mund të paditet

Institucioni i Avokatit të Popullit po konsideron se mos pajisja e qytetarëve me pasaporta nga Ministria e Punëve të Brendshme është shkelje e të drejtave të qytetarëve, që u garantohen me ligj.

Avokati i Popullit konfirmon se kanë marrë shumë ankesa për çështjen e mungesës së pasaportave dhe kanë kërkuar sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Avokati i Popullit konsideron se mos pajisja me dokumente të udhëtimit edhe për një periudhë të pacaktuar kohore, paraqet kufizim të së drejtës për tu pajisur me dokumente personale dhe si rrjedhojë edhe kufizim i të drejtave të tjera që dalin nga mos pajisja e qytetarëve me dokumente”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit për Demokracia.com.

Kujtdo që i është mohuar e drejta për t’u pajisur me pasaportë, Avokati i Popullit thotë se mund të nisë konflikt administrativ.

“Mbi bazën e vullnetit të secilit qytetar, të cilit i pamundësohet të pajiset me dokumente të udhëtimit, ata mund të nisin procedura administrative deri në konflikt administrativ”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për Demokracia.com.

Sipas Avokatit të Popullit, shqetësimi i qytetarëve për mos pajisje me pasaporta është legjitim.

“Avokati i Popullit ka pranuar ankesa nga qytetarët për këtë çështje, duke paraqitur shqetësim se mos pajisja me dokumente po ju shkakton probleme të shumta. Duke pasur parasysh se shqetësimi i tyre ka qenë legjitim dhe mbi bazën e informacioneve tjera, ne iu kemi drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe kemi kërkuar sqarime dhe informata se pse po ndodh kjo situatë. Në përgjigjen e tyre, ata kanë konstatuar që janë duke menaxhuar një sasi në dispozicion, duke trajtuar me prioritet të lartë kategoritë shëndetësore, studentët, mërgatën dhe përfaqësuesit shtetërorë”, thuhet më tej në përgjigjen e këtij institucioni.

Ministria e Punëve të Brendshme i është përgjigjur Avokatit të Popullit se kjo çështje do të përfundojë në fund të janarit.

“MPB-ja na ka njoftuar se kanë nënshkruar kontratë për furnizim me material për personalizimin e dokumenteve, duke shtuar se nga fundi i janarit të këtij viti, ata do të zgjedhin këtë çështje. Pavarësisht kësaj, Avokati i Popullit konsideron se mos pajisja me dokumente të udhëtimit edhe për një periudhë të pacaktuar kohore, paraqet kufizim të së drejtës për tu pajisur me dokumente personale dhe si rrjedhojë edhe kufizim të të drejtave të tjera që dalin nga mos pajisja e qytetarëve me dokument”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me probleme të mëdha për tu pajisur me pasaporta, pasi Ministria e Punëve të Brendshme kishte dështuar të arrinte marrëveshje me një kompani për furnizimin me material.

Reagime ka pasur edhe nga partitë opozitare, të cilat e kanë kritikuar Qeverinë për këtë dështim.

Go to TOP