Avokati i Popullit kërkon nga MASHTI që të zgjidhë çështjen e njohjes dhe verifikimit të diplomave

Avokati i Popullit i ka adresuar një raport Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në lidhje me mos ushtrimin e mbikëqyrjes efektive ndaj funksionimit të Bartësve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media thuhet se Avokati i Popullit në vazhdimësi ka pranuar ankesa nga studentë dhe ish studentë të kolegjeve private, bartës të arsimit të lartë në Kosovë që lidhen me mos mosnjohjen/mos verifikimin e diplomave të tyre, e të cilat në mënyrë të përmbledhura prezantohen në këtë raport.

“Raporti trajton disa aspekte: në rastin e parë, ankuesit kishin përfunduar programet studimore në Bartës të Arsimit të Lartë në drejtime të cilat nuk kishin pasur akreditim dhe licencë; në rastin e dytë, me rastin e regjistrimit të ankuesit në kolegj, kolegji kishte akreditim, mirëpo me rastin e përfundimit të studimeve, kolegjit i ishte refuzuar kërkesa për ri akreditim dhe si pasojë në këto raste diplomat e tyre ishin të pavlefshme, nuk mund të njihen/verifikohen dhe ankuesit nuk mund t’i vijonin studimet më tej. Në rastet e tjera, ankuesve nuk mund t’iu njihen/verifikohen diplomat për shkak të mosdorëzimit të librave amë nga Bartësit e Arsimit të Lartë dhe të njëjtët po ashtu nuk mund t’i vijojnë studimet më tej dhe as studimet jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit në raportin e datës 2 dhjetor 2021, vlerëson se mosveprimi i institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore ka krijuar hapësirë që Bartësit e Arsimit të Lartë të funksionojë në kundërshtim me dispozitat ligjore, në mungesë të akreditimit dhe pa e dorëzuar ose thënë ndryshe mos administruar siç duhet dokumentacionin përkatës siç parashihet me dispozita ligjore, përveç tjerash ka krijuar pasiguri, humbje financiare e thyerje morale tek studentët.

“Duke qenë se akreditimi është proces që garanton se një institucion i arsimit të lartë dhe programet e tij i plotësojnë standardet ndërkombëtare të pranuara të cilësisë dhe se kualifikimet e lëshuara nga BAL-i u japin bartësve të tyre një numër të drejtash, Avokati i Popullit konstaton se disa Bartës të Arsimit të Lartë kanë lëshuar diploma në kundërshtim të plotë me procedurat e akreditimit dhe licencimit. Avokati i Popullit konstaton se dorëzimi i librave amë në afatin e përcaktuar ligjor është obligim i Bartësve të Arsimit të Lartë, moszbatimi i tyre është përgjegjësi e secilit institucion që ushtron këtë veprimtari. Administrimi i të dhënave relevante për studentët e regjistruar në institucionet e arsimit të lartë është përgjegjësi e institucioneve”, thuhet në njoftim.

Sipas Avokatit të Popullit është e nevojshme që institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit t’i ndërmarrin veprimet ligjore lidhur me çështjen e njohjes/verifikimit të diplomave, në mënyrë që kjo çështje të përfundojë dhe studentët të mos përballen me probleme të kësaj natyre.

“Për këto dhe çështjet tjera të trajtuara në Raport, Avokati i Popullit i rekomandoi Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që:

1. Të angazhohet që komisionet e formuara nga MAShTI t’i përfundojnë detyrat e dhëna në një afat të arsyeshëm kohor dhe çështja e njohjes/verifikimit të diplomave të marrë epilog, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe në pajtim me standardet evropiane.

2. Të sigurojë që Inspektorati i Arsimit, si organ ekzekutiv qendror, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet efektive për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të aplikueshëm nga të gjithë Bartësit e Arsimit të Lartë, deri në ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten”. 

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP