AUV kreu 76 mijë inspektime në vitin 2023, asgjësoi mbi 1 milion produkte ushqimore

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Lamir Thaçi, ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar, AUV-i ka kryer rreth 76 mijë inspektime, prej të cilave janë asgjësuar mbi 1 milion e 200 mijë kilogramë/litra produkte ushqimore.

“Duke qenë se jemi autoriteti më i lartë kompetent për siguri të ushqimit ne gjatë gjithë viti jemi kujdesur që për konsumatorët tonë produktet të cilat ata i blejnë në treg të jenë të sigurta dhe në këtë e kemi arritur. Kemi realizuar rreth 76 mijë inspektime, nga këto inspektime janë marr 3 mijë e 500 mostra dhe ato janë testuar në disa parametra dhe në secilin rast kur ne kemi pasur dyshimet të caktuara menjëherë kemi vepruar në ndalim të qarkullimit të produktit dhe pastaj janë ndërmarr veprimet tjera ligjore që kërkohen. Në këto inspektime kemi pasur edhe raste të ndalimit, asgjësimit, dërgimit të fletëparaqitjeve në gjykatë. Janë mbi 1 milion e 200 mijë kilogram, litra produkte të cilat nga inspektorët janë vlerësuar që nuk ju përgjigjen kushteve për konsum dhe si të tilla janë asgjësuar, gjitha asgjësimet janë kryer ne prezence të inspektoreve të AUV”, ka thënë Thaçi.

Thaçi foli edhe për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar AUV-i dhe punët e prioritet që do ti kenë si agjenci gjatë këtij viti.

“Kemi punuar edhe në dy drejtime të tjera që janë baza e shëndetit publik, është shëndeti i kafshëve dhe shëndeti i bimëve edhe në këto fusha kemi treguar shumë sukses duke parandaluar shumë sëmundje duke luftuar disa të cilat veç se kanë prekur vendin tonë dhe konform ndërmarrjeve të veprimeve te shpejta ne kemi arritur rezultate të kënaqshme”, ka thënë ai.

Më tutje, Thaçi deklaroi se gjatë këtij viti do të hyjnë në funksion edhe zyrat regjionale të reja të cilat janë financuar nga BE-ja, e që qytetarëve do të ju mundësohen shërbime më të mira.

“Ne faktikisht e kemi një mbështetje shumë të mirë nga ministri i Bujqësisë i cili është angazhuar që gjithmonë të krijoj kushte sa më të mira për një punë më të mirë e cila përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët tonë. Ne i kemi ndërtuar zyrat regjionale dhe presim që gjatë këtij viti ti lëshojmë në funksion, janë zyre të reja të cilat janë financuar nga BE-ja. Kemi investime edhe në rritje të kapaciteteve analitike, siç janë metoda e zhvillimeve të metodave të reja të laboratorit për kryerje të testeve në gamë më të gjerë për parametra më të ndryshëm dhe po ashtu ne gjatë këtij viti synojmë që pas rekrutimit të stafit të ri, ata të trajnohen në hapa të shpejt dhe të dalin në teren dhe ta rrisim frekuencën e kontrolleve për gjithë operatorët ekonomikë. Ne këtë vit do të synojmë fillimisht në aspektin struktural Agjencia të ritet për shkak se do të funksionojmë ne objekte te reja. Do ti ofrojmë konsumatorëve qytetarëve edhe hapësira ku ata mund të kenë qasje dhe të marrin shërbime pranë AUV në objekte krejt ndryshe nga ato që i kemi pasur”, u shpreh ai.

Go to TOP