Autoritetet spanjolle kapin jahtet e një prej oligarkëve kryesorë të Rusisë

Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar një jaht prej 140 milionë dollarësh “të një prej oligarkëve kryesorë” të Rusisë, në portin e Barcelonës, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez të hënën vonë në një intervistë televizive. Ata nuk e përmendën emrin e oligarkut. 

“Ne kemi sekuestruar – termi teknik është imobilizuar përkohësisht – një jaht i një prej oligarkëve kryesorë,” tha Sanchez për La Sexta TV të Spanjës.

“Po flasim për një jaht që vlerësojmë se ka një vlerë prej 140 milionë dollarësh. … Është 85 metra (279 këmbë) e gjatë.”

Jahti mban emrin “Valerie” dhe autoritetet spanjolle duan të përcaktojnë nëse ai është në pronësi apo kontroll të një personi apo kompanie të sanksionuar nga Bashkimi Europian për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, tha në një deklaratë Ministria e Transportit e Spanjës.

Ky është “imobilizimi i përkohshëm” i parë i një jahti në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, i kryer nga Drejtoria e Marinës Tregtare, një agjenci e Ministrisë së Transportit, thuhet në deklaratë.

Superjahti ishte gati të lundronte larg portit të Barcelonës, ku u ankorua në instalimet e MB92, një kompani që bën riparime dhe mirëmbajtje të superjahteve, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Sanchez tha se Spanja do të kontaktojë shërbimet e inteligjencës dhe departamentet ekonomike të vendeve aleate në Bashkimin Evropian dhe gjetkë në përpjekje për të përcaktuar pronësinë e jahtit.

“Është komplekse sepse këta janë njerëz që kanë kompani ndërmjetëse,” tha Sanchez, duke iu referuar oligarkëve. Por, shtoi se “do të ketë më shumë”.

Ministria e Transportit tha: “Nëse, siç dyshohet, anija është pronë e një personi ose kompanie të përfshirë në listën e sanksioneve (Rusisë) nga Këshilli Evropian, atëherë superjahti do të imobilizohet deri në urdhër të mëtejshëm”.

Autoritetet të martën konfiskuan gjithashtu përkohësisht një jaht të dytë për të përcaktuar nëse pronari i tij është subjekt i sanksioneve të fundit të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, sipas ministrisë.

Go to TOP