“Aurona Pelaj është në shtëpi, s’ka asnjë mundësi që të ik nga vendi”

Avokati mbrojtës i Aurona Pelajt, të dyshuarës për sulmin ndaj të moshuarës në qendrën “Orenda” në Pejë, Veton Berisha e ka mohuar që klientja e tij të jetë larguar nga Kosova.

Berisha ka thënë se Pelaj s’ka asnjë mundësi që të ik nga vendi dhe se aktualisht është në shtëpinë e saj.

“Jo, nuk qëndron një deklaratë e tillë. Nuk ka asnjë mundësi me ik, ajo është në shtëpi të vetë”, ka thënë Berisha.

Ai tha se sot ka folur me klienten e tij.

Dyshimet se Pelaj mund të jetë larguar nga vendi, ka ngritur sot avokati i të moshuarës, Meshar Selimaj.

Gazeta ka pyetur edhe Prokurorinë e Pejës për këto dyshime, por deri në publikimin e tekstit, s’ka marrë përgjigje.

Ai tha se sipas informacioneve që ka, Pelaj mund të jetë në Gjermani.

“Me informacionet që kam Aurona Pelaj, mund të gjendet në Gjermani. Kështu po përflitet këto ditët e fundit. Prokuroria ende nuk i ka kryet hetimet. Prokuroria ende nuk e ka ngritur aktin-akuzues në Gjykatë dhe Gjykata ende nuk e ka mundësinë që ta ftojë Pelaj. Duhet të paraqitet me thirret, dhe nëse nuk paraqitet merren masat për lëshimin e urdhër arrestit”- tha Selimaj.

Ndryshe, pamjet që u xhiruan brenda kësaj qendre u bënë virale dhe nxitën reagime të ashpra. Aty shfaqej Pelaj duke e rrahur një të moshuar, derisa koleget e saj qeshnin e argëtoheshin me këtë skenë.

Deri tash nuk është ngritur aktakuzë për këtë rast.

Go to TOP