Atletico Madrid fiton në udhëtim dhe siguron një vend në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm

Atletico Madrid ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në kuadër të xhiros së 36-të në La Liga.

Skuadra madrilene ka triumfuar në udhëtim te Elche me rezultat të pastër 0-2, fitore që i ka siguruar edhe një vend në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.

Ishte sulmuesi brazilian, Matheus Cunha që kaloi mysafirët në epërsi 0-1 në minutën e 28-të pas asistimit nga Renan Lodi.

Me epërsinë minimale 0-1 të mysafirëve u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.

Dominimi i kryeqytetasve në lojë vazhdoi edhe në pjesën e dytë, duke kontrolluar gjithë lojën.

E kur kaluan një orë lojë, ishte mesfushori argjentinas Rodrigo de Paul që realizoi për 0-2 pas asistimit nga Antoine Griezmann.

Deri në fund të ndeshjes, Atletico Madrid pati edhe disa raste shënimi, por që nuk arriti të shënonte më gola.

Me këtë fitore Atletico Madrid ndodhet në vendin e tretë në tabelë me 67 pikë dhe tanimë kanë siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.

Ndërkohë Elche zë vendin e 14-të në La Liga me 39 pikë.

Go to TOP