Atentati në Durrës, reagon policia: Makina në pronësi të 52-vjeçarit nga Maqedonia, identifikohet autori
Benzi “G-Class” ku ndodhej shënjestra e atentatit të djeshëm në Durrës Akil Nerjaku nuk ishte në pronësi të tij, por në pronësi të Bujar Alushit nga Maqedonia e Veriut. Automjeti rezulton i blinduar, çka me sa duket ka bërë që Nerjaku t’i shpëtojë plumbave.
Reagimi i policisë Durrës
Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar.
Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.
Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
