Associated Press: SHBA e siguron Kosovën se nuk e lejon krijimin e një minishteti me shumicë serbe

Para dy ditësh u prezantua një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E dje, u mbajt takimi për modalitetet e themelimit të Asociacionit i organizuar në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. Kosova është më afër se kurrë implementimit të marrëveshjes se formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të nënshkruar rreth një dekadë më parë në Bruksel.

Ngjarjet e fundit kanë marrë natyrshëm vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare. Gjiganti mediatik amerikan, Associated Press, i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të fundit që karakterizuan vendin lidhur me përshpejtimin e hapave për themelimin e Asociacionit.

AP ka shkruar për deklaratën e këshilltarit special të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin krijimin e një mini-shteti me shumicë serbe në Kosovë – si ai në Bosnje – derisa Uashingtoni përpiqet të bindë Kosovën që të pranojë një asociacion të diskutueshëm.

“Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësishtë krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha pas takimit ambasadori amerikan Jeff Hovenier, shkruan AP.

Më tej, mediumi shkruan se Prishtina heziton të pranojë formimin e Asociacionit, nga frika se do të rezultojë në formimin e një minishteti, të ngjashëm me Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier pas diskutimit të organizuar nga Ambasada e SHBA në Kosovë rreth krijimit të Asociacionit, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

Hovenier tha se SHBA-ja pret që “Kosova t’i përmbushë obligimet e saj”. Shtoi se themelimi i Asociacionit është çështje urgjente dhe e rëndësishme.

Go to TOP