Kambanat e vendimeve të vështira!

Shkruan: Arsim KASTRATI

Nuk mund të jesh gjithmonë përpara kundërshtarit, nganjëherë ai do të jetë një hap përpara teje dhe atëherë, do të nxitosh pas tij që të barazohesh me të.

Ideja e asociacionit nuk është shfaqur sot por, para 10 vitesh marrëveshjen për krijimin e tij e ka pranuar parlamenti i Kosovës.

Tash Amerika dhe aleatët e saj, shtetet më të fuqishme të Botës, po na e kërkojnë një zotim për krijimin e tij dhe këtu ne nuk kemi të bëjmë me raportin ndaj Serbisë por me raportin ndaj Amerikës dhe fuqive të mëdha, me atë se çfarë përgjigje do tu japim atyre.

Po na kërkohet të fillojmë të ndërtojmë diçka të cilën e kemi pranuar njëherë dhe këtë po na e kërkon garantuesi i ekzistencës sonë shtetërore – Amerika.

Bisedimet e Kosovës me Serbinë nuk ishin dhe nuk janë vetëm për çështjet dhe problemet bilaterale, ato janë dy dimensionale. Ne njëkohësisht bisedojmë me Serbinë (më pak) dhe më shumë me bashkësinë ndërkombëtare e cila është edhe lehtësuesi i këtyre bisedimeve.

Ne me Serbinë, direkt dhe nominalisht bisedojmë për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella ndërsa, indirekt me të e drejtpërdrejtë me faktorin ndërkombëtar, për përparimin dhe forcimin e shoqërisë dhe të shtetit tonë.

Pa Amerikën dhe aleatët e saj, ne me Serbinë mbase nuk do të bisedonim fare dhe forcimi i shtetit e njohjet e tij ndërkombëtare nuk do të ndodhnin asnjëherë.

Qe sa vjet u bënë e s’na ka njohtë kurrkush përveç Izraelit, mbasi e shtyri Amerika?

Nuk ka si t’mos shokohet njeriu kur nëpër media dëgjon opinionistë nga Kosova dhe Shqipëria, duke e kritikuar Amerikën e duke e krahasuar angazhimin e saj në Kosovë me angazhimet në Irak dhe Afganistan! Asgjë nuk ma heç dyshimin për agjendat e tyre mercenare, se për dëmin që na e kanë bërë dhe mund të na e bëjnë s’kam dyshime aspak.

Ne, po t’mos i besonim Amerikës nuk do ta kishim nënshkruar as marrëveshjen e Rambujesë e as atë të Vjenës. Sikur t’mos intervenonte Amerika, e dinë të gjithë Kosovarët se çka do të ndodhte e çka, nuk do të ndodhte me ta.

Po t’mos deklaronte presidenti Bush i Riu: “enough is enough, Kosovo’s indelendent!” e t’mos angazhohej shteti i tij i fuqishëm, nuk do të ndodhte 17 shkurti.

Dhe, sikur Amerika t’mos i nxiste vendet e ndryshme të Botës, shtetin tonë përveç Shqipërisë, nuk do ta njihte askush tjetër.

Me Amerikën ecim përpara, pa te rrëshqasim te mbrapa!

Kambanat bijnë fuqishëm për lidershipin politik të Kosovës dhe ata nuk e kanë lehtë por as shumë vështirë jo. Vetëm le ta shikojnë të kaluarën dhe do ta shohin rrugën e vendimeve të duhura!

Nëse sot duhet ti ndryshojnë qëndrimet e mëparshme dhe frikësohen për PR-në e tyre, le ta sakrifikojnë atë dhe votat, për të mirën e Kosovës! Fundja edhe le të thonë se ndodhen para aktit të kryer sepse, e kanë nënshkruar disa të tjerë para tyre!

Historia do t’ia gjejë vendin e merituar secilit dhe secilës.

Go to TOP