Asllani jashtë planeve të Interit, por jo jashtë Italisë

Kristjan Asllani nuk është më pjesë në planeve të Interit për sezonin e ardhshëm dhe e ardhmja e tij është e hapur.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, mesfushori i kombëtares shqiptare ka refuzuar ofertën për transferim të përhershëm nga Real Betis, pavarësisht se klubi spanjoll ishte gati të paguante 15 milionë euro.

Interi, i cili tashmë ka përfshirë në skuadër talentin kroat Petar Sucic – që debutoi në Kupën e Botës për Klube këtë verë – ka vendosur të mos llogarisë më në shërbimet e Asllanit. Trajneri Cristian Chivu nuk e sheh 23-vjeçarin në projektin e tij për sezonin 2025-26.

Megjithatë, Asllani nuk ka dëshirë të largohet nga Italia. Ai është i vendosur të vazhdojë karrierën në Serie A, duke e refuzuar mundësinë për të luajtur jashtë vendit, për momentin.

Fiorentina dhe Bologna janë përmendur si destinacione të mundshme, por aktualisht interesimi i tyre është vetëm për huazim.

Interi e ka vlerësuar largimin e tij me një shitje të plotë prej të paktën 15 milionë euro, çka mund të komplikojë tratativat me klubet italiane.

E ardhmja e Asllanit pritet të zgjidhet në javët e ardhshme, me agjentin e tij që po punon për një zgjidhje që e mban shqiptarin në elitën e futbollit italian.

Go to TOP