As pas tre muajve policia ende nuk e ka një drejtor

Qe tre muaj Policia e Kosovës ka mbetur me ushtrues detyre, pasi drejtori i saj Samedin Mehmeti kishte dhënë dorëheqje me arsyetimin zyrtar, “shkaqe personale dhe ndërgjegje profesionale”, pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçares në Prishtinë.

Zëvendësdrejtori Fehmi Hoti, është duke ushtruar detyrën e drejtorit, derisa konkursi për drejtorin e ardhshëm të Policisë është përmbyllur gjatë muajit shtator.
Ndërkaq nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë treguar se kur do të zgjedhet drejtori i ri.

“Në këtë konkurs kanë aplikuar pesë kandidatë. Ndërsa, intervistimi dhe përzgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës do të bëhet konform legjislacionit përkatës në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Por, për ish-drejtorin e Policisë Rashit Qalajn, çështja e mos zgjedhjes se drejtorit të Policisë është mjaft shqetësuese, sidomos duke pasur parasysh situatën e sigurisë në komunat veriore të vendit.

“U bënë më shumë se dy muaj që nga mbyllja e konkursit për drejtor të përgjithshëm dhe tek para disa ditësh nga ministri i Brendshëm është formuar komisioni për emërime të larta në Policinë e Kosovës. Ende mbetet e pa qartë arsyeja pse deri më tani nuk është bërë përzgjedhja e drejtorit”, thotë Qalaj.

Qalaj, që tani është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thekson se mbetet të shihet se a do të zgjedhet ndonjëri nga eproret që ka aplikuar për këtë pozitë apo jo.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, theksoi për AP se zgjedhja e drejtorit të ri duhet të konsiderohet si urgjente.

“Mungesa e drejtorit të policisë së Kosovës është pengesë serioze e zhvillimeve në fushën e sigurisë si dhe ngritjen e kapaciteteve policore. Kosova aktualisht është duke u ballafaquar me shumë sfida në fushën e sigurisë si rreziku i eskalimit të situatës në veriun e Kosovës si rezultat i zhvillimeve në atë zonë”.

Megjithatë, sipas Elezit, asnjë nga kandidatët që kanë aplikuar për kryepolic nuk i plotëson kriteret, prandaj ai kërkon që konkursi të anulohet.

“Asnjë nga kandidatët nuk kanë arritur të plotësojnë kushtet e parapara në konkurs, andaj ky konkurs duhet të anulohet dhe të rishpallët konkurs i ri dhe kështu sa më parë të kemi drejtorin e ri, i cili do të fillojë edhe reformat në polici”, pohoi ai.

Më 13 janar të vitit 2021, Samedin Mehmeti ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Mehmeti, kishte qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë, që kur u shkarkua Rashit Qalaj.

Go to TOP