Arrihet marrëveshja, Eberechi Eze te Arsenali
Arsenali raportohet se ka arritur marrëveshje me Crystal Palace për transferimin e Eberechi Eze, me një shumë totale prej 67.5 milionë eurosh.
Sulmuesi anglez pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore këtë javë përpara se të zyrtarizohet si përforcimi më i ri i skuadrës së Mikel Artetës.
Tottenhami, rivalët e përjetshëm të Arsenalit në Londrën Veriore, ishin afër ta transferonin 27-vjeçarin, por nuk arritën të ndalin lëvizjen e “Topçinjve”.
Kontrata e Eze me Crystal Palace kishte një klauzolë lirimi prej 68 milionë eurosh që skadoi të premten e kaluar.
Sipas mediave angleze, Arsenali ka rënë dakord të paguajë 60 milionë euro + 7.5 milionë euro bonuse për kartonin e sulmuesit.
Ky transferim shihet si një lëvizje e madhe për skuadrën e Artetës, që synon të forcojë edhe më shumë repartin ofensiv për sezonin e ri që tashmë ka nisur në Angli.
