Arrestohet një shtetas i Shqipërisë për drogën në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se një shtetas i Shqipërisë është arrestuar për drogën e gjetur në fshatrat Kliçin dhe Sferkë të Pejës, ndërsa në kërkim janë shpallur mbi gjashtë persona të tjerë. I arrestuari, sipas hetimeve, ka qenë në cilësinë e punëtorit.
Në një konferencë për media nga vendi ku u gjet droga, togeri Astrit Jasiqi ka bërë të ditur se hetimi ka zgjatur mbi dy muaj, ndërsa sasia dhe vlera e drogës mund të ndryshojë pasi janë ende në fazat e para të hetimit.
“Këto dy lokacione ku kemi bërë veprime hetimore janë lokacione të përmasave të mëdha të kultivimit të kanabisit. Jemi në fazën e përpunimit të vendit të ngjarjes dhe në vlerësimet tona, sasia dhe vlera mund të dalin më të mëdha. Njëra nga plantacionet ka qenë e rritur në nivelin ku konsiderojmë se një bimë kanabisi mund të japë produkt të marihuanës gjysmë kilogrami. Ka qenë hetim i gjatë, mbi dy muaj, i koordinuar me njësitet respektive të Policisë. Një person është i arrestuar, shtetas i Shqipërisë, i cili ka qenë në cilësinë e punëtorit për këto dy parcela. Kemi edhe persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë në fazën e kërkimit dhe identifikimit. Për këta nuk kemi detaje të tjera”, ka thënë Jasiqi.
Jasiqi tha se hetimet reth rastit kanë zgjatur më shumë se dy muaj.
Tutje, ai shtoi se destinimi i marihuanës ka qenë tregu ndërkombëtar dhe se vlera e substancave narkotike është mbi 5 milionë euro. /Kosova.info/