Arrestohet i dyti i grupit nga Fushë Kruja që vuri eksplozivin në Shëngjin: emri

Policia e Lezhës i ka vënë prangat një 21-vjeçari nga Fushë Krujë, pjesë e grupit që i kishte vënë eksploziv një godine në ndërtim në Shëngjein, në nëntor të vitit të kaluar. Ai quhet Angli Stafuka dhe mbi të tashmë rëndojnë katër akuza.

Bashkëpunëtori i Stafukës është ndaluar më herët në kuadrin e të njëjtij operacion të koduar si “Eksplozivi”.

21-vjeçari Stafuka, sipas Prokurorisë së Lezhës, akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Policia e Lezhës njoftoi se “ nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, pas një pune profesionale hetimore, bënë të mundur identifikimin e një tjetër shtetasi të dyshuar për vendosjen e eksplozivit në një objekt në ndërtim në Shëngjin, më datë 19 nëntor 2020.

Si rezultat i provave të grumbulluara, në bashkëpunim me Komisariatin e Krujës, u bë ndalimi i Angli Stafukës, 21 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Stafuka, në bashkëpunim me shtetasin E. P, i ndaluar gjatë operacionit “Eksplozivi”  në dhjetor 2020, më datë 19 nëntor 2020, në Shëngjin të Lezhës, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Dosja e tij u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Go to TOP