Arrestohen katër persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ryshfet
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës Themelore, ka kryer kontroll në katër lokacione të ndryshme, duke përfshirë dy banesa private, një lokal afarist dhe një zyrë.
“Përmes hetimeve të zhvilluara, ku janë aplikuar masat e veçanta të hetimit, janë siguruar dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar veprat penale si: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe “marrja e ryshfetit në sektorin privat””, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje policia bën të ditur se lidhur me rastin dyshohet se katër persona të dyshuar (nga ta, tre meshkuj dhe një femër) janë përfshirë në veprat penale të lartcekura, duke marrë ryshfet nga persona të ndryshëm të cilët janë pajisur me certifikatë për leje të armës pa prezencën e tyre, siç e parasheh ligji dhe procedurat tjera vijuese.
“Gjatë kontrollit janë sekuestruar përkohësisht: 7 telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin, ndërsa personat e dyshuar janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
