Armëpushimi i shpallur nga Moska, Zelensky: E dimë me kë kemi të bëjmë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shprehur përsëri dyshime në lidhje me armëpushimin tre-ditor të shpallur nga Moska për javën e ardhshme. “Ne e dimë me kë kemi të bëjmë, nuk u besojmë atyre”, tha Zelenskyy në Pragë.
Rusia po flet për një lloj “armëpushimi të pjesshëm”, por vazhdon të sulmojë vendin e Zelenskyt. “Vetëm të shtunën, ushtria ruse kreu më shumë se 200 sulme. Pra, nuk ka besim (tek Rusia)”, theksoi presidenti ukrainas.
Gjatë qëndrimit në Pragë, Zelensky falënderoi qeverinë çeke për iniciativën e saj për municionet. Pas një takimi me homologun e tij çek Petr Pavel, ai vlerësoi “mbështetjen e palëkundur dhe themelore” të shtetit anëtar të BE-së dhe NATO-s. Si pjesë e iniciativës, Republika Çeke po ndërmjetëson municione artilerie nga vende të treta.
“Ne do t’i vazhdojmë këto dërgesa për aq kohë sa të jetë e nevojshme, veçanërisht derisa të arrihet një paqe e drejtë për Ukrainën”, theksoi Pavel. Ish-gjenerali i NATO-s njoftoi se 1.8 milionë fishekë me municion të kalibrit të madh mund të vihen në dispozicion deri në fund të vitit. Iniciativa aktualisht mbështetet financiarisht nga njëmbëdhjetë shtete. Negociatat janë gjithashtu duke u zhvilluar në lidhje me kuotat për vitin e ardhshëm.
