Arifi kritikon Kurtin: Refuzimi i projektit amerikan të gazit, gabim i rëndë strategjik për Kosovën
Ish kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me projektin amerikan të gazit duke e cilësuar refuzimin e këtij projekti si një gabim të rëndë strategjik dhe një akt papërgjegjshmërie politike.
Përmes një reagimi publik, Arifi tha se projekti i gazit është iniciativa e dytë madhore në sektorin e energjisë, pas projektit të termocentralit “Kosova e Re”, të cilin, sipas tij, Kurti e ka refuzuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Refuzimi i projektit amerikan të gazit është një gabim i rëndë strategjik dhe akt papërgjegjshmërie politike. Është projekti i dytë në sferën e energjetikës, pas atij të termocentralit ‘Kosova e Re’, që Albin Kurti refuzon të bashkëpunojë me SHBA-në, aleatin strategjik të Kosovës”, ka shkruar Arifi.
Sipas tij, në vend që të shfrytëzonte një mundësi për forcimin e sigurisë energjetike dhe të partneritetit me SHBA-në, Qeveria ka zgjedhur, siç tha ai, “rrugën e kokëfortësisë ideologjike dhe të izolimit”.
Arifi vlerësoi se ky vendim ngre pikëpyetje serioze për aftësinë e udhëheqjes shtetërore që të dallojë interesin strategjik të Kosovës nga kalkulimet politike afatshkurtra.
Ai theksoi se SHBA-ja ka qenë aleati më i madh i Kosovës në momentet më vendimtare të historisë së saj dhe se refuzimi i një projekti të mbështetur nga partneri kryesor strategjik mund të dëmtojë besimin e ndërtuar ndër vite.
“Mbrojtja e vendimit me justifikime teknike nuk e fsheh faktin se Kosova humbi një mundësi konkrete zhvillimi. Një qeveri serioze nuk mbyll derën ndaj investimeve strategjike pa pasur një plan më të mirë në tavolinë”, ka deklaruar Arifi.
Në fund, ai vlerësoi se Kosova ka humbur një mundësi të madhe zhvillimore dhe se përgjegjësia politike për këtë vendim nuk mund të shmanget. /Kosova.info/
