Arifi i dyti, Shqipëria me medalje të argjendtë nga Yerevan 

Shqipëria ka marrë medalje të argjendtë në Yerevan të Armenisë ku po mbahet Kampionati Evropian i Karatesë. Karateisti Orges Arifi, e ka përsëritur suksesin e vitit të kaluar në Evropianin e zhvilluar në Zarë të Kroacisë.

Në finale Arifi është përballur me rusin Akhmed Akhmedov, i cili ka garuar me flamurin e Federatës Evropiane të Karatesë (EKF) dhe që në gjysmëfinale kishte eliminuar karateistin kosovar Islam Selmani. Pas një dueli të fortë, Arifi është mposhtur ngushtë 2:1, duke u detyruar të kënaqet me medaljen e dytë më të çmuar.

Arifi ka pasur paraqitje të mira në të gjitha luftërat deri në finale. Në takimin e parë e ka mposhtur Balsha Vojinoviqin nga Mali i Zi me rezultat 2:1. Më pas ka kaluar çekun Martin Drabeg me 4:2, spanjollin Urko Primicia Velasco me 1:0, dhe në gjysmëfinale Kenan Shiljak nga Bosnjë-Hercegovina, duke triumfuar me 5:3.

Arifi është nga Kosova, ndërsa garon për Shqipërinë.


Go to TOP