Arbeloa: Real Madrid do të vazhdojë të luftojë për titullin në LaLiga
Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka deklaruar se skuadra e tij do të vazhdojë të luftojë për titullin në LaLiga, pavarësisht se aktualisht ndodhet katër pikë prapa Barcelonës në renditje.
Real Madrid do të përballet të premten me Celta Vigo dhe synon të afrohet në vetëm një pikë nga Barcelona, para se kampioni në fuqi të luajë ndaj Athletic Bilbao të shtunën.
Presioni mbi Arbeloa është rritur pas dy humbjeve radhazi në kampionat. Madrilenët fillimisht kanë humbur ndaj Osasuna, ndërsa fundjavën e kaluar janë mposhtur në shtëpi nga Getafe.
“Jemi katër pikë prapa, jo tetëmbëdhjetë. Ky është Real Madrid. Përderisa ekziston mundësia matematikore për të luftuar për titullin, ne do ta bëjmë këtë”, ka thënë Arbeloa.
Ai ka theksuar se skuadra është e vetëdijshme se sezoni ende nuk ka përfunduar dhe se fokusi aktual është vetëm te ndeshja e radhës.
Real Madrid është goditur edhe nga lëndimet. Rodrygo ka pësuar një lëndim serioz në gju dhe mund të mungojë deri në Kupën e Botës gjatë verës. Jashtë skuadrës janë edhe Kylian Mbappe, Jude Bellingham dhe Eder Militao, ndërsa mbrojtësi Dean Huijsen do të mungojë ndaj Celta Vigo për shkak të pezullimit.
Ndërkohë, madrilenët javën e ardhshme do të përballen me Manchester Cityn në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 së finales në Champions League.
