Analizë nga Reuters: Ndërhyrja në Kazakistan, shpërqendrim i padëshirueshëm për Putinin

Kriza e papritur dhe e dhunshme në Kazakistan e ka zënë presidentin rus, Vladimir Putin, në një moment kur vëmendja e tij ishte e përqendruar vendosmërisht diku tjetër dhe e detyroi për një ndërhyrje ushtarake, e cila bart rreziqe të mundshme.

Reuters

Putini menjëherë u zotua për dërgimin e trupave ruse të enjten, si pjesë e forcës paqeruajtëse nga shtetet ish-sovjetike, ndihmë e kërkuar nga Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, i cili është duke u përballur me valën më të rrezikshme të trazirave që nga koha kur shteti i Azisë Qendrore e fitoi pavarësinë nga Moska më 1991.

Analistët rusë dhe perëndimorë kanë thënë se kjo krizë nuk do ta largojë përqendrimin e Putinit nga Ukraina, ku ai e ka detyruar Perëndimin që të ulet në tavolinën e bisedimeve duke mobilizuar dhjetëra mijëra trupa ruse për atë që Kievi e Uashingtoni thonë se mund të jetë pushtim i mundshëm brenda disa javëve – diçka që ai e ka mohuar.

Por Kazakistani paraqet më së paku një shpërqendrim të përkohshëm e të padëshirueshëm në kohën kur Rusia po përgatitet që t’i hapë bisedimet me Perëndimin javën e ardhshme rreth kërkesave të saj për garanci të sigurisë për t’u mbrojtur nga ajo që e sheh si sjellje kërcënuese të NATO-s.

U duk se forcat kazake të sigurisë po e kthenin kontrollin të premten, pasi protestat rreth çmimit të karburanteve eskaluan në dhunë për disa ditë në shtetin me sipërfaqe të madhe, ku pati edhe grabitje e djegie të ndërtesave publike.

Por potenciali për gjakderdhje të mëtejme është i qartë.

Tokayev tha në një fjalim të publikuar në televizion se shteti do të luftojë deri në fund kundër atyre që i quajti banditë e terroristë dhe tha se ka lëshuar urdhra për forcat e sigurisë që të qëllojnë për të vrarë.

Pesha e detyrës me të cilën përballen 2.500 paqeruajtësit nga Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kirgizia dhe Taxhikistani – dhe nëse ajo mund të përfundohet brenda ditëve ose javëve, siç është synuar – ende nuk është e qartë.

“Misioni më i mirë për Moskën duhet të jetë: futesh brenda, dukesh i madh e i fuqishëm duke qëndruar në vende të dukshme dhe, në të vërtetë, kurrë nuk të duhet të bësh gjë. Nuk ka asgjë për t’u fituar nga të shtënat në drejtim të popullsisë së një vendi tjetër”, tha Sam Greene, drejtor i Institutit për Rusinë në Universitetin “King’s College” në Londër.

Por edhe një ndërhyrje e suksesshme do të mund të linte në pushtet një qeveri të papopullarizuar, do të mund ta rrezikonte nxitjen e ndjenjës anti-ruse dhe do të mund të dështonte në adresimin e shkaktarëve themelorë të kryengritjes, shtoi ai.

Sipas tij, Rusia duket se ka llogaritur që dështimi për të vepruar do të rrezikonte një rezultat më të keq, më saktësisht rënien e Tokayev-it dhe paraqitjen e një boshllëku të pushtetit në Kazakistan.

Në cikël suksesesh

Por ka gjithashtu edhe anë të mirë të mundshme për Kremlinin nga zgjerimi i ndërhyrjeve strategjike që ka kryer në shtetet ish-sovjetike nga viti 2020.

Në Bjellorusi, e mbështeti udhëheqësin autoritar, Aleksander Lukashenko, kur protestat masive rrezikuan që ta rrëzonin dhe, prej asaj kohe, i ka përdorur territorin dhe hapësirën ajrore të këtij shteti për të kryer ushtrime ushtarake të profilit të lartë e fluturime të bombarduesve strategjikë afër kufijve të shteteve anëtare të NATO-s.

Në Kaukaz, Putini e solli armëpushimin në luftën e vitit 2020 mes Armenisë e Azerbajxhanit dhe dërgoi trupa paqeruajtëse, duke u siguruar që Rusia do të mbetej aktorja kyçe e sigurisë në rajonin ku edhe Turqia e Irani garojnë për ndikim.

Tash Kazakistani, prodhuesi më i madh në botë i uraniumit dhe eksportuesi i nëntë më i madh në botë i naftës, duket se do të futet gjithnjë më shumë në borxh ndaj Moskës. Tokayev-i u përkujdes në fjalimin e tij të premten që ta falënderonte Putinin për përkrahjen e tij të shpejtë.

“Për Rusinë, nëse gjërat qetësohen, do të jetë një fitore e konsiderueshme, duke demonstruar se sa e rëndësishme mbetet dhe gjithashtu duke e lidhur po aq shumë Kazakistanin për vete”, tha Olga Oliker, drejtoreshë e programit për Evropë dhe Azi Qendrore në Grupin e Krizave.

Jonathan Eyal nga instituti “Royal United Services Institute – RUSI” në Londër tha se Putini do të mund të fitonte një epërsi tjetër të rëndësishme ndaj Kinës duke e rishpallur Rusinë si garantuese të sigurisë së shteteve të Azisë Qendrore, edhe pse ai mund të mos shpresojë se do të barazohet me ndikimin ekonomik të Pekinit në rajon.

“Natyrisht se Rusia është e kënaqur që ka kontroll suprem në aspektin e sigurisë në Azinë Qendrore. Kjo i shkon për shtati narrativës së Putinit si një lloj rikrijuesi i Bashkimit Sovjetik”, tha Eyal.

“Kjo i lejon Putinit që ta portretizojë veten si paksa më të barabartë me kinezët. Ai ka një aleancë të cilën kinezët nuk e kanë, ka një tufë shtetesh që e shohin si mbrojtës përfundimtar, që kinezët nuk i kanë. Ai ka kthim në një pozicion të një fuqie rajonale, nëse jo një fuqie botërore, të cilën gjithmonë e ka lakmuar”, shtoi ai.

Ukraina, megjithatë, mbetet shqetësimi më i madh.

“Kazakistani mund ta shpërqendrojë vëmendjen nga Ukraina, të paktën për ca kohë, sepse përfundishmisht është një krizë serioze, që do të duhej të kërkonte vëmendje dhe përqendrim nga pala ruse. Por nuk mendoj se kjo do ta largojë tërësisht Ukrainën nga tavolina”, tha Andrey Kortunov, drejtor i Këshillit Rus për Çështje Ndërkombëtare.

“Mendoj se kjo çështje mbetet prioritet kryesor dhe prapë do të jetë çështje për të cilën ata do të dëshirojnë të diskutojnë me Perëndimin, pavarësisht se çfarë ndodh në Kazakistan”, shtoi ai.

Go to TOP