Analistët: Asociacioni është zotim, nuk duhet humbur kohë

Kur po i afrohemi majit dhe takimit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, mbetet e paqartë nëse Kosova do të arrijë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Kurti gjatë javës ka zhvilluar takime e biseda me krerë të lartë të Francës dhe Gjermanisë. Prej Francës ai pret mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa parakushte, ndërsa nga takimet që zhvilloi në Gjermani, shefi i Qeverisë në një organizim të Partisë Socialdemokrate gjermane, u zotua se do të punojë për ‘çështje të pazgjidhura’ për pakicat.

“Ne gjithashtu do të zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet”, ka thënë Kurti.

Duke folur në mediet gjermane për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, kryeministri Kurti ka thënë se nuk është në rregull që Asociacioni të nxirret si parakusht. Ndërkaq, kryetari i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës, Frank Schwabe ka thënë se nga këndvështrimi aktual, shanset e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës janë 50/50.

Për analistin Fitim Mulolli, Kosova gabon nëse i lëndon raportet me partnerët strategjik.

“Hap konkret është dërgimi i atij draft statuti në Kushtetuese, për të cilin kryeministri Kurti pas takimit ka dalë publikisht ka thënë isha i gatshëm ta nënshkruaj. Nuk e kuptoj hezitimin e Kurtit sepse nuk po kërkohet themelimi i Asociacionit sot, por vetëm të ecë procesi. Tani ajo do të marrë kohë; dy-tre muaj në Gjykatën Kushtetuese, dy-tre muaj derisa të shkrihen komentet, prandaj nuk e kuptoj këtë hezitim dhe lëndim të raporteve me partnerët strategjik për diçka që ne jemi zotuar se do ta bëjmë”, ka theksuar Mulolli.

Por, për një analiste tjetër, tema e Asociacionit është zotim dhe nuk ka asnjë arsye të lidhet me Këshillin e Evropës. Madje ajo thotë se Serbia e humbi të drejtën ta kërkojë Asociacionin, duke i dirigjuar serbët e veriut, që bojkotuan zgjedhjet e së dielës.

“ Nuk e di çfarë tjetër mund të bëjmë ne si palë kosovare në këtë drejtim, kur pala tjerët nuk e ka marrë as hapin më të vogël rreth procedurave ligjore për ta marrë pushtetin legjitim në komunat e veriut, e tek pastaj të kërkohet procedimi tutje me Asociacionin. Në një proces normal, ne presim votimin në KiE, por edhe një deklarim më të fuqishëm të Kurtit që zotohet që sapo të piqen kushtet të procedohet tutje me Asociacionin”, ka theksuar Besa Luzha, njohëse e rrethanave politike.

Në numërim të ditëve deri më 16 maj, qeveria e Kosovës do ta ketë betejën kryesore me shtetin serb dhe presidentin, Aleksandër Vuçiq, që gjithë kësaj kohe është deklaruar se po bën gjithçka që ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Go to TOP