“Amnesty International” e akuzon Izraelin për aparteid ndaj palestinezëve

Organizata e njohur për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, të martën e akuzoi Izraelin se po i bën palestinezët subjekt të një sistemi të aparteidit, të bazuar në politika “të veçimit, shpronësimit dhe përjashtimit”, për të cilat tha se përbëjnë krime kundër njerëzimit.

Reuters

Grupi me seli në Londër tha se rezultatet e veta janë të mbështetura në hulumtim dhe analiza ligjore, të publikuara në raportin me 211 faqe rreth konfiskimit të tokës dhe pronave palestineze nga Izraeli, vrasjeve të paligjshme, zhvendosjes me forcë të njerëzve dhe mohimit të shtetësisë.

Izraeli tha se ky raport, që është i dyti nga një grup ndërkombëtar për të drejtat e njeriut që e akuzon këtë shtet për ndjekje të politikave të aparteidit, pas organizatës tjetër të njohur, “Human Rights Watch”, “i fuqizon dhe i riciklon gënjeshtrat” nga grupet e urrejtjes dhe se është i hartuar për “hedhur benzinë në zjarrin e antisemitizmit”.

Izraeli gjithashtu e akuzoi organizatën “Amnesty International” për “përdorim të standardeve të dyfishta dhe portretizim djallëzues për ta delegjitimuar Izraelin”.

Sidoqoftë, grupi për të drejtat e njeriut tha se Izraeli është duke imponuar një sistem të shtypjes dhe mbizotërimit kundër palestinezëve “kudo që ka kontroll mbi të drejtat e tyre”, përfshirë shtetasit arabë të Izraelitë, palestinezët në territorin e pushtuar nga Izraeli dhe refugjatët që jetojnë jashtë, shkruan Reuters.

Në mesin e masave, sipas raportit, janë kufizimet ndaj lëvizjeve të palestinezëve në territorin e pushtuar në luftën e vitit 1967, investimi më i vogël në komunitetet palestineze në Izrael dhe parandalimi i kthimit të refugjatëve palestinezë.

Bashkë me zhvendosjet me forcë, torturimin dhe vrasjet e paligjshme, për të cilat “Amnesty” thotë se e kanë për qëllim mbajtjen e një sistemi “të shtypjes dhe mbizotërimit”, ato përbëjnë “krim kundër njerëzimit – aparteid”.

Në një deklaratë, ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Yair Lapid, tha se “Izraeli nuk është i përkryer, por është demokraci e përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe e hapur për vështrim”, me medie të lira dhe Gjykatë Supreme të fuqishme.

Go to TOP