Aliu: Kontrata Kolektive barrë e rëndë për komunat e Kosovës
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili të marten është zgjedhur kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka deklaruar se këtë detyrë do të mundohet të kryejë me përgjegjësi të lartë dhe do të punojë të ketë sa më shumë unitet në AKK.
“Unë do të punoj në interes të qytetarëve të Kosovës. I falënderoj të gjithë për besimin që më kanë dhënë dje në Kuvendin zgjedhor. AKK-ja është skaneri në tërë territorin e Kosovës, pra është një njohje për të gjitha problematikat që i kanë qytetarët e Kosovës”, tha ai për RTK.
Sipas tij, Asociacioni i Komunave të Kosovës do të jetë partnerë i të gjitha institucioneve të Kosovës. Ai përmendi edhe menaxhimin e situatës më pandeminë Covid 19 në këto dy vitet e fundit.
“Bashkëpunimi me komunat ka qenë i domosdoshëm dhe kjo është arritur falë gatishmërisë së dy anshme, pra të komunave dhe të institucioneve qendrore”, theksoi ai.
Për mandatin që ka filluar, si kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Aliu tha se ka para vetes një agjendë.
“Viti 2022 do të jetë më i rënduar për komunat si rezultat i kontratës kolektive, ne duhet të diskutojmë me qeverinë për këtë kontratë, e cila pa drejtësisht i bartë detyrimet tek komunat e Kosovës dhe kjo do të jetë problem për komunat”, deklaroi ai.
Aliu ka folur edhe për problemin e mos funksionimit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) e që sipas tij po i nxjerrë problem shumë komunave në fillimin e implementimin e kontratave për kryerjen e punimeve.
“Janë qindra miliona euro që priten të hyjnë në punë, por për shkak të problemeve që janë në OSHP dhe Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), nuk mund të fillojmë me punime nëpër komunat e Kosovës. Tani është një problem edhe me rritjen e çmimeve që nuk po përputhen më realitetin. Janë qindra kontrata që janë nënshkruar para një viti dhe është një situatë shumë e rëndë, në kërkojmë mbështetje të qeverisë, na duhet një koordinim dhe bashkëveprim i përbashkët”, tha Aliu.
Comments