Ali Berisha tërhiqet nga gara në AAK: Nuk do të kandidoj në asnjë nivel organizativ
Ali Berisha ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e garës politike në Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në asnjë nivel organizativ, në kuadër të procesit të reformimit të thellë që ka nisur brenda partisë.
Përmes një njoftimi publik, Berisha ka bërë të ditur se vendimi i tij vjen në funksion të reformimit të domosdoshëm të partisë, proces i cili, sipas tij, tashmë ka filluar dhe do të vazhdojë me zgjedhje të brendshme në të gjitha strukturat.
Ai ka treguar se sonte është mbajtur takimi i Këshillit Drejtues të Degës në Pejë, ku, në përputhje me vendimin e Këshillit Drejtues në nivel qendror, janë shpallur zgjedhjet e përgjithshme në të gjitha nivelet e nëndegëve në këtë komunë. Po ashtu, janë formuar grupet punuese që do të merren me mbarëvajtjen dhe administrimin korrekt të procesit zgjedhor.
Berisha ka theksuar se procesi zgjedhor do të jetë i hapur, demokratik dhe gjithëpërfshirës duke garantuar barazi dhe transparencë për secilin kandidat.
Në fund, ai u ka uruar suksese të gjithë kandidatëve potencialë për kryetar të Degës duke shprehur bindjen se konkurrenca e ndershme forcon strukturën dhe unitetin e partisë. /Kosova.info/
