Alban Hyseni uron Kurban Bajramin: Le të jetë kjo festë një thirrje për mirësi dhe solidaritet
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka përcjellë urimet e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit duke theksuar rëndësinë e afërsisë, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë mes qytetarëve, jo vetëm gjatë festave, por çdo ditë të vitit.
“Kurban Bajrami na kujton sa e rëndësishme është të jemi afër njëri-tjetrit, përmes mirëkuptimit, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë”, u shpreh Hyseni në një mesazh publik.
Në këtë ditë të veçantë, ai zhvilloi një vizitë në Bashkësinë Islame të Gjilanit, ku përcolli urimet për festën dhe falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve të komunës.
“Le të jetë kjo festë një thirrje për më shumë mirësi mes nesh, më shumë kujdes për ata që kanë më pak, dhe më shumë përkushtim për qytetin tonë”, theksoi Hyseni duke përmbyllur urimin me dëshirën që Kurban Bajrami të sjellë shëndet dhe harmoni në çdo familje.
Ai uroi të gjithë qytetarët për një festë të qetë, të ngrohtë dhe të mbushur me dashuri e paqe. /Kosova.info/
