Aktakuzë kundër të pandehurit që privoi nga jeta vëllain e tij

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit E.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK, dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK.

Prokuroria njofton opinionin, se me datë 05 nëntor 2023 në banesën e tij në Mitrovicë – veri, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta viktimën – vëllain e tij E.J., në atë mënyrë që pas një fjalosje të çastit, e sulmon viktimën me thikë të kuzhinës, me gjatësi tehu 12 cm, dhe e godet pesë (5) herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë prerëse e shpuese, dhe si pasojë e lëndimeve të marra viktima vdes në spitalin e Mitrovicës.

Po ashtu, i pandehuri, në shtëpinë e tij në Mitrovicë – veri, pa autorizim ka poseduar pistoletën e markës Kolt (ROHM RG 69) , 9 mm, prodhim gjerman.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit. /Kosova.info/

Go to TOP