Aksident trafiku në Prishtinë, lëndohen katër persona
Rreth orës 04:00 të mëngjesit, sot Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime të ndodhura në rrugën “Xheladin Rekaliu” në Prishtinë.
Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe si pasojë e përplasjes, katër persona kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas të dhënave fillestare, nuk raportohet për rrezik për jetën e tyre.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar rastin për RTKLive duke theksuar se njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme.
“Policia po punon në sqarimin e shkaqeve që kanë çuar në këtë aksident. Hetimet janë në zhvillim”, ka deklaruar Pllana.
Policia u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor dhe të shtojnë kujdesin, sidomos gjatë orëve të hershme të mëngjesit dhe në zonat urbane me qarkullim të dendur.
