Aksident fatal në Viti, vdes një 70-vjeçar
Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në rrugën Viti – Ramnishtë.
Lajmi për RTKlive është konfirmuar për media nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas tij, aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:30 dhe ka përfshirë dy vetura. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ndërsa nga hetimet e para rezulton se lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, banorë të Komunës së Vitisë.
“Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Gjilan për trajtim mjekësor. Personi i lënduar, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Komunës së Vitisë, përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit të ofruar në Spitalin e Gjilanit, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë”, ka deklaruar Hashani.
Ai bëri të ditur se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të drejtuesit tjetër të automjetit.
Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
