Ahmeti në Pragë kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar takim në Pragë, me homologun e tij çek Jan Marian.

“Gjatë takimit diskutuam mbi procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe proceset e ndërlidhura me integrimet euroatlantike të Republikës së Kosovës. Poashtu, ritheksova kërkesën për heqjen e masave të Bashkimit të Evropian ndaj Kosovës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai ka thënë se në takim kanë diskutuar edhe për zhvillimet në nivel botëror, me theks të veçantë agresionin e paprovokuar të Federatës Ruse në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Evropë dhe rajonin tonë.

 “Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë takova edhe Drejtorin e Përgjithshëm, z. David Konecky, me të cilin diskutuam për çështjet shumëpalëshe, më konkretisht trajtuam proceset integruese të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Po ashtu, takova Drejtorin e Përgjithshëm Martin Košatka, ku në fokus të bisedës kishim marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e tyre në fusha me interes të përbashkët, si ajo e drejtësisë, ekonomisë dhe kulturës. Gjatë takimit diskutuam për marrëveshjet në proces dhe inicimin e bashkëpunimeve të reja”, ka theksuar zëvendësministri Ahmeti. /Kosova.info/

Go to TOP