Blinken: Mbështetja e Kinës për Rusinë duhet të marrë fund

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të martën se mbështetja e Kinës për industrinë ruse të mbrojtjes është duke zgjatur luftën në Ukrainë dhe kjo duhet të ndalet.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Mbështetja e Kinës i ka mundësuar Rusisë ta ketë në këmbë bazën e saj industriale të mbrojtjes “për të mbajtur luftën gjallë… dhe kjo duhet të përfundojë”, ka thënë Blinken.

Stoltenberg, duke përsëritur komentet që ka bërë më 17 qershor, ka thënë se Kina “nuk mund të vazhdojë të ketë marrëdhënie normale tregtare me shtetet në Evropë, dhe të njëjtën kohë të forcojë luftën më të madhe që kemi parë në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore”.

Ai ka bërë thirrje që Kina të përballet me pasoja, nëse vazhdon të përkrahë Rusinë.

Kina nuk i ka vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Go to TOP