Gjimshiti e sheh ndeshjen me Kroacinë rast për reagim pas humbjes

Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka theksuar se ndeshja e ardhshme kundër Kroacisë do të jetë një mundësi për ekipin që të reagojë pas humbjes së ngushtë ndaj Italisë.

Të dy kombëtaret do të përballen të mërkurën në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit B, ku Kroacia gjithashtu kërkon të rikthehet pas një humbjeje të thellë nga Spanja me rezultatin 3-0.

“Nuk ishte ndeshje e mirë e Kroacisë ndaj Spanjës, humbën 3-0. Nuk ishte një ndeshje e lehtë as për ata dhe as për ne. Kjo është një mundësi për të reaguar për atë rezultat dhe do të jetë e vështirë si për ata si për ne. Ne do të tentojmë më të mirën dhe do të shohim se kush do të fitojë nesër”, ka thënë Gjimshiti.

Kapiteni shqiptar ka pranuar se Kroacia është në rolin e favoritit, por ka nënvizuar  rëndësinë e shmangies së gabimeve të vogla që ndikuan në ndeshjen kundër Italisë. “Kroacia është në rolin e favoritit. Besoj që u duk në ndeshjen kundër Italisë, kur kemi përballë kampion siç ishte Italia, çdo gabim i vogël ndikon. Ne duhet t’i përmirësojmë ato episode që të bëjmë më mirë ndaj Kroacisë”, është shprehur futbollisti i Atalanta

Gjimshiti ka theksuar gjithashtu rëndësinë e inteligjencës dhe përvojës në ndeshje të tilla, duke sugjeruar që ekipi të jetë më strategjik në qasjen e tij. “E kam thënë edhe pas pjesës së parë me Italinë, duhet të jesh inteligjent në këto ndeshje, të kesh eksperiencë dhe të ndalësh ritmin e kundërshtarit sepse rivalë të këtyre niveleve të larta të bëjnë dëm dhe duhet të përmirësohemi. Në fushë duhet të jemi pak ‘të pisët’ dhe të marrim atë që meritojmë”, ka thënë ai. 

Kapiteni shqiptar ka folur edhe rreth gjendjes psikologjike të ekipit, duke e konsideruar atë më të rëndësishme sesa lodhja fizike. “Gjendja psikologjike është më e rëndësishme tani sesa lodhja fizike sepse ajo bën ndryshimin në lojë. Kam folur me disa lojtarë, duhet t’u japësh kurajo për ndeshjen e radhës. Nuk ishte e lehtë ndeshja e parë, kishim edhe ne pritshmëritë ndryshe. Të përmirësohemi dhe të mësojmë diçka. Kam pak më shumë eksperiencë se disa prej lojtarëve të tjerë këtu dhe mundohem t’i ndihmoj lojtarët më të rinj dhe t’u jap kurajo. Këto gjëra ndodhin, do kenë dhe shumë ndeshje të tjera në jetë që mund të jenë më ‘keq’ se ndeshja me Italinë”, ka thënë ai. 

Go to TOP