Ahmeti e njofton Bakoyannis me të arriturat e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, priti në takim raportuesen për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.

Në njoftimin e MPJD-së thuhet se Ahmeti njoftoi Bakoyannis me përparimet e Kosovës në të drejtat e njeriut, demokraci dhe sundim të ligjit, çështje të cilat janë shtylla bazë të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës.

“Ai theksoi faktin që në vitet e fundit Kosova ka shënuar progres të dukshëm në të drejtat politike dhe civile të qytetarëve të saj e po ashtu  në reformat e sistemit të drejtësisë, në koordinim të ngushtë më Komisionin e Venedikut. Këto zhvillime kanë bërë që organizatat e pavarura ndërkombëtare të rendisin Republikën e Kosovës si vendin më demokratik në rajon dhe të parin për reformat në drejtësi dhe sundim të ligjit”.

Gjithashtu, thuhet se në takim u diskutua mbi kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, “e cila është shembull për sa i përket të drejtave të komuniteteve pakicë”.

Ahmeti e njoftoi Bakoyannis mbi themelimin e Grupit Ndërinstitucional për Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbi punën e tij të deritanishme në analizimin dhe përpjekjet për adresimin e rekomandimeve të dala nga raportet e Këshillit të Evropës drejtuar institucioneve të Kosovës.

Kjo vizitë po ashtu i paraprin vizitës së raportueseve nga dy Komitetet tjera përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Azadeh Rojhan, dhe Béatrice Fresko-Rolfo, të cilat do të qëndrojnë në Kosovë në fillim të muajit dhjetor. 

Go to TOP