Ahmeti: Duhet të ndërtojmë ura komunikimi, e kaluara është e dhimbshme për faj të elitave politike

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, sonte në TV21 tha se janë partitë politike ato që duhet t’i afrojnë qytetarët mes vete dhe se janë përgjegjës për ndërtimin e urave të komunikimit.

Ai gjithashtu kërkoi që të harrohet e kaluara.

“Kemi përgjegjësi që përpara qytetarëve ta arsyetojmë si Marrëveshjen e Ohrit, si Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë… Ne na duhet të ndërtojmë ura komunikimi. Mos të lejojmë që qytetarët të na prijnë neve në drejtim të afrimit mes tyre. Ne duhet të jemi ata që do t’i prijmë dhe t’i afrojmë qytetarët. E kaluara është e dhimbshme, jo për faj të qytetarëve, por për faj të elitave politike”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu foli për përplasjen me kryetarin e OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, ndërsa tha se ai është çuar kundër shqiptarëve dhe se kjo shihet hapur.

“Ata janë çuar kundër shqiptarëve. Hapur po shihet kjo punë. Katundi që duket nuk do kallauz. Ai nuk u desh të nisë këtë betejë, sepse nuk i del me mua. Unë nuk e kam provokuar, por ia kam thënë një të vërtetë. Ai as edhe një ditë nuk e ka udhëhequr shtetin. Ai që 7 vjet është në opozitë. Ai nuk di si drejtohet shteti”, tha Ahmeti.

Go to TOP