AGK dhe IHS Project: Gazetaria si urë lidhëse mes pacientëve dhe institucioneve shëndetësore
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Projektin Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS Project) dhe me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), organizoi sot tryezën e rrumbullakët “Fuqia e këndit të raportimit”. Ky aktivitet mblodhi gazetarë, përfaqësues institucionesh dhe ekspertë të shëndetësisë për të diskutuar rolin e mediave në promovimin e raportimit të përgjegjshëm dhe qasjen e pacientëve në shërbimet shëndetësore.
Fjalët e hapjes u mbajtën nga Linda Baleta, Eksperte e Lartë për Avokim në IHS; Getoarbë Mulliqi, Drejtore Ekzekutive e AGK-së; si dhe Gjylferije Zabeli, Udhëheqëse e Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në vazhdim, gazetarja Merita Miftari prezantoi storie të publikuara në media përmes sesionit “Gazetarët flasin, pacientët dëgjohen” duke sjellë shembuj konkretë të ndikimit që ka raportimi i përgjegjshëm në ngritjen e vetëdijes qytetare dhe adresimin e sfidave në shëndetësi.
Paneli kryesor me temë “Paraqitja e zërit dhe perspektivës së pacientëve në gazetari” bashkoi gazetaret Arbreshë Uka, Albina Selmanaj dhe Qëndresë Uka-Matoshi, përfaqësuesin e IKSHP-së Dr. Faik Hoti, si dhe Mark Kaqinarin nga Avokati i Popullit. Diskutimi, i moderuar nga Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së, vuri në pah sfidat e gazetarëve gjatë raportimit mbi çështjet shëndetësore dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet për të përmirësuar qasjen e pacientëve në shërbime cilësore.
Pas panelit, pjesëmarrësit morën pjesë në një sesion reflektimi duke ndarë mendime për hapat e ardhshëm dhe duke theksuar rolin e mediave në promovimin e një gazetarie pozitive, të përgjegjshme dhe me fokus te pacienti.
Ky aktivitet është pjesë e një bashkëpunimi të qëndrueshëm AGK–IHS, i cili ka ngritur kapacitetet e mbi 70 gazetarëve, ka kontribuar në rritjen e vetëdijes qytetare dhe ka iniciuar çmimet e para për raportimin më të mirë mbi diabetin. Përmes këtyre përpjekjeve, fuqizohet roli i gazetarisë si një urë lidhëse mes qytetarëve, institucioneve dhe profesionistëve të shëndetit publik. /Kosova.info/
