AGK dënon fushatën e VV-së kundër Klan Kosovës: Rrezikohet siguria e gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj thirrjes së sekretarit organizativ të Vetëvendosjes, Alim Rama, për bojkot ndaj televizionit Klan Kosova duke e cilësuar këtë një fushatë linçuese dhe të papranueshme që rrezikon seriozisht sigurinë e punonjësve të medias.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me fushatën sistematike të partisë së parë në Kuvend kundër një televizioni privat nacional. Targetimi publik i televizionit dhe rrjedhimisht i gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë, vë në rrezik sigurinë e tyre fizike,” thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, kjo nuk është hera e parë që Vetëvendosje dhe eksponentët e saj, përfshirë edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, lëshojnë deklarata që cenojnë lirinë e medieve. Madje, organizata kujton se gjatë ditës së zgjedhjeve janë shënuar disa sulme fizike ndaj gazetarëve të Klan Kosovës, për të cilat fajëson klimën e krijuar nga retorika e zyrtarëve të VV-së.

Thirrja e Alim Ramës, e bërë të hënën në një postim publik, u cilësua si veprim linçues dhe në përpjekje për të minuar lirinë e shprehjes. AGK kërkoi urgjentisht nga VV që të ndalojë këto praktika dhe të respektojë lirinë dhe integritetin e gazetarëve.

AGK rithekson se demokracia nuk mund të funksionojë pa media të lira dhe se çdo përpjekje për t’i mbyllur ato, përbën rrezik për të ardhmen demokratike të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP