Afera me rezervat shtetërore – I bëhet thirrje qeverisë t’i ndalojë deklaratat për prokurorët dhe gjyqtarët

Qeveria aktuale ditëve të fundit u bë kryetemë për procesin e hetimit të inicuar nga prokuroria rreth rastit të njohur si “Afera me rezervat shtetërore” që ka të bëjë me blerjet e grurit, sheqerit dhe vajit, tek kompanitë turke dhe polake.

Sipas dosjes së prokurorisë bëhet fjalë për 200 mijë litra vaj, 120 mijë kilogramë sheqer dhe 52.5 tonë grurë në vlerë të mbi 600 mijë eurove që nuk arritën kurrë në Kosovë.

Edhe vetë kryeministri Albin Kurti e pranoi, se s’ka ardhur në Kosovë 3% e rezervave shtetërore nga kjo blerje.  Por, ai dhe ministra të kabinetit të tij për hetimet e arrestimet në këtë rast sulmuan e kritikuan ashpër sistemin prokurorial dhe gjyqësorin e vendit.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi tha për Klankosova.tv se një gjuhë e tillë që është përdorur si në rastin në fjalë në është bërë vazhdimësi e Qeverisë Kurti.

Sipas tij, një praktikë e tillë e dëmton sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi në vazhdimësi e ka potencuar se fatkeqësisht që nga ardhja në qeveri e kryeministrit Albin Kurti, gjegjësisht politikanët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë ndërtuar një standard për të kërcënuar, për të dënuar pavarësinë e sistemit gjyqësor të sistemit prokurorial për çdo vendim i cili nuk iu përshtatet interesave të tyre”.

“As kryeministri, as ministrat dhe asnjë politikan nuk ka të drejtë të komentojë, të jap deklarata politike lidhur me rastet të cilat janë në hetim apo kësi raste që janë duke u trajtuar qoftë nga prokuroria, qoftë nga ana e gjykatave. Një praktikë e tillë, një standard i tillë jo vetëm që e cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, por edhe e ulë  besimin e qytetarëve në këtë sistem.  Andaj, një praktikë e tillë duhet të ndalet dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të vazhdojë”, ka thënë Miftaraj.

Drejtuesi i IKD-së ka potencuar se në rastin e hetimit që është nisur nga prokuroria për rezervat shtetërore do të duhej të jepte sqarime kryeministri Albin Kurti.

“Në anën tjetër kryeministri Kurti, zyrtarët e MINT-it do të duhej të ofronin sqarime se si një biznesmen një qytetar, i cili nuk është as zyrtar publik, dhe as nuk punon në MINT, të ketë qasje në informatat së paku sekrete siç i ka quajtur kryeministri Albin Kurti me vendim. Për këtë do të duhej të jepte sqarime kryeministri Albin Kurti dhe jo të kërkonte sqarime nga sistemi prokurorial”, ka thënë Miftaraj.

Komunikimi i tillë i drejtuesve të institucioneve shtetërore është i papranueshëm edhe për juristin Ardian Bajraktari.

Ai për Klankosova.tv ka theksuar se kjo është një ndërhyrje e drejtëpërdrejtë në sistemin prokurorial e gjyqësor të vendit.

“Është absolutisht e papranueshme që sulmet e natyrës së tillë me pas nga kushdo qoftë, e aq më tepër nga ana e krerëve të institucioneve në raport me sistemin gjyqësor dhe prokurorial.  Aq më tepër kur kemi të bëjmë më përdorimin apo citimin e emrave të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë të përfshirë në raste konkrete e që natyrisht është e nivelit shtetëror”.

“Këtu tashmë nuk kemi vetëm tendencë, mirëpo unë kam përshtypjen që është ndërhyrje e drejtëpërdrejtë në pavarësinë e punës së gjykatës dhe prokurorisë”, ka thënë Bajraktari.

Ai deklaroi më tutje se pushteti duhet të distancohet sa më parë nga cilësimet dhe deklarimet e tilla.

“Andaj, vlerësoj që sa më parë të distancohen, e aq më tepër eksponentët e pushtetit, nga deklarimet dhe cilësimet e tilla, vlerësoj se është në të mirën e sistemit gjyqësor, në të mirën e pavarësisë dhe paanshmërisë së punës të gjykatës dhe prokurorisë dhe për më tepër është në të mirën e rritjes së besimit të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë”, ka potencuar Bajraktari.

Ashpër ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve qeveritarë ka reaguar edhe  Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit”, u tha në reagim.

Të arrestuar për skandalin me rezervat shtetërore janë dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovicën dhe Haviz Garën, si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.

Go to TOP