Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës edhe me katër porta të reja

Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” i janë shtuar edhe katër porta të reja për të akomoduar trafikun e shtuar të udhëtarëve.

Në ceremoninë e përurimit të zgjerimit, morën pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës. Drejtori i kompanisë Limak-Calik, Nihat Ozdemir, tha se me shtimin e hapjes së portave të reja, numri i pasagjerëve pritet të rritet dukshëm.

“Hapja e katër portave të reja, nuk është vetëm një përmirësim i infrastrukturës, por në të njëjtën kohë është edhe një dëshmi e angazhimit tonë për të përmirësuar kapacitetin dhe cilësinë e shërbimit të aeroportit. Ky zgjerim rrit ndjeshëm kapacitetin e Aeroportit tonë duke pritur 1.2 milion pasagjerë shtesë në vit”, ka thënë Nihat Ozdemir, drejtor i kompanisë Limak-Calik.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se me rritjen e fluksit të udhëtarëve, rriten edhe të hyrat për Qeverinë e Kosovës dhe për partnerët me koncensionimin e Aeroportit.

“Kjo rritje kaq e shpejt e fluksit të udhëtarëve, tregon për gjallërinë e ekonomisë së Kosovës e kjo pastaj përkthehet drejtpërdrejt në më shumë të hyra për Qeverinë e Kosovës dhe për partnerët tanë me koncesionimin e Aeroportit edhe më shumë të hyra në ekonominë e Kosovës për arsyeje se sipas të gjitha analizave secili qytetar që vjen përmes aeroportit të Prishtinës në baza ditore shpenzon mbi 40 euro në ditë për ekonomin e Kosovës”, ka thënë Bislimi.

Hapja e katër portave të reja të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës do të jenë në shërbim të pasagjerëve nga e premtja.

Go to TOP