Ademi priti kryetarin e Obiliqit, diskutohet avancimi i futbollit dhe Kampi i të Rinjve

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, me të cilin ka zhvilluar një diskutim të detajuar dhe konstruktiv për zhvillimin e futbollit në këtë komunë.

Në fokus të takimit ishte Kampi i të Rinjve në Obiliq, projekt i realizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, i cili përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit, veçanërisht për grupmoshat e reja. Palët vlerësuan rëndësinë e këtij projekti në krijimin e kushteve më të mira për talentet e reja dhe në rritjen e cilësisë së punës me të rinjtë.

Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe projekte të tjera zhvillimore në fushën e futbollit në Komunën e Obiliqit, me theks të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës sportive, zgjerimin e aktiviteteve futbollistike dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në sport.

Agim Ademi dhe Halil Thaçi shprehën gatishmërinë për bashkëpunim institucional dhe koordinim të vazhdueshëm, me qëllim të avancimit të futbollit në Obiliq, si dhe për vazhdimin e mbështetjes ndaj projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e të rinjve dhe forcimin e strukturave sportive lokale. /Kosova.info/


Go to TOP